22 Prill, 2020 - 1:41 pm
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti deklaroi se gjendja është nën kontroll sa i përket pandemisë COVID-19, ndërsa bëri të ditur se janë marrë 10 mostra të qytetarëve në kryeqytet dhe rezultatet priten të dalin gjatë ditës.
Kryetari i Prishtinës tha se nëse qoftë se do të vazhdohet me këtë ritëm edhe për dy-tri ditë tjera, Prishtina do të dalë nga karantina.
“Situata është në kontroll, ju e dini që dje kemi pasur një ditë me zero raste. Pardje kemi pasur një ditë ku jemi frikësuar më shumë sepse kemi pasur 66 të testuar. Prej tyre dolën gjashtë që ishin familjarë të rasteve të një dite më parë. Unë mendoj që jemi mirë njëherë por nuk do të thotë që duhet të relaksohemi. Në qoftë se vazhdojmë kështu edhe dy-tri ditë, besoj që së pari do të kemi mundësinë që të heqim karantinën, pra këtë bllokimin e jashtëm të Prishtinës, ndërsa kufizimet tjera mbesin në fuqi”, tha Ahmeti.
Ai bëri të ditur që edhe sot janë duke vazhduar me testimet e qytetarëve të Prishtinës.
“Më duket që sot në tendat tona ishin dhjetë raste. Ndërsa, ka edhe raste të tjera të Prishtinës të cilat do të testohen direkt në IKShP dhe QKUK… nuk ka kurrfarë arsyeje që edhe kojshitë që kanë dëgjuar, se po dëgjojmë shpesh që një rast në një ndërtesë një kojshi, dhe pastaj po bëhet panik në krejt lagjen dhe mëhallën. Nuk ka arsyeje për gjëra të tilla, momentin kur nuk do ta kemi në kontroll do ta ju themi panikohuni tash, por pa ju thënë mos bëni, sepse institucionet tona kanë në kontroll situatën”, shtoi Ahmeti. /Telegrafi /KultPlus.com