“Aida” e Verdit, së shpejti në TKOB me produksion të Zeffirelli-t

28 Janar, 2025 - 3:15 pm

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të vërë në skenë një nga operat më të fuqishme të repertorit operistik botëror, “Aidën” e Verdit.

“Aida” do të vijë me një produksion madhështor të të mirënjohurit Franco Zeffirelli. Burime nga TKOB bënë të ditur se, së shpejti do të bëhet publik kasti i artistëve që do të interpretojnë, ku vendin kryesor e zënë artistët shqiptarë por do të ketë edhe emra të huaj.

Kryevepra e Xhuzepe Verdit është drama e një dashurie të ndaluar.  Në sfondin e Egjiptit të lashtë do të zhvillohet një trekëndësh dashurie pasionante dhe të ndaluar mes princeshës etiopiane Aida, komandantit egjiptian Radamès dhe Amneris, vajzës së Faraonit.

Tradhtia, sakrifica dhe lufta mes ndjenjave personale dhe detyrës të mbajnë pezull deri në notën e fundit. Muzika e Verdit, e pasur me emocione të thella dhe pasione shpërthyese, shoqërohet nga një skenografi madhështore dhe kostume magjepsëse që sjellin në jetë atmosferën unike të kësaj opere të pavdekshme, vendosur në Egjiptin e lashtë.

“Aida” do ta ketë premierën më 6 shkurt./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme