AIDSSH: 44 klerikë bektashinj u persekutuan nga regjimi komunist

22 Mars, 2024 - 1:30 pm

“Kjo ditë është një ditë e re
që përsëritet moti,
lind Vera, lind ngrohtësia,
lind Aliu, lind vetë Zoti”.

Me këto vargje të poetit tonë të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sjell për të kremtuar sot Ditën e Nevruzit, një festë e bektashinjve që shënon ringjalljen e natyrës, nevojën për paqe dhe solidaritet.

Dita simbolizon bashkimin e familjeve, këmbimin e dhuratave e vizitave miqësore. Përgatitjet e celebrimit të Nevruzit tek familjet besimtare shoqëroheshin me blerjen e rrobave të reja, veshjen e kostumeve me zbukurime argjendi e floriri.

Sulltan Nevruzi ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX kjo festë është shndërruar në një manifestim kombëtar.

Diktatura komuniste-ateiste në Shqipëri, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian. Në Shqipëri Dita e Nevruzit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Nga dokumentet e gjetura në arkivin e Autoritetit, po shkëpusim rregulloren e vitit 1951 si dhe foton nga kongresit të katërt të bektashinjve, të dosjes me nr. 22, me materiale mbi komunitetin bektashi në Shqipëri. Rreth 44 klerikë pësuan persekutimin komunist, internim, torturat në burg dhe vdekjen./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme