6 Gusht, 2024 - 3:00 pm
Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit dhe Bashkinë Himarë do të organizojnë një aktivitet në kuadër të 23 Gushtit, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës, për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit. Aktiviteti titullohet “Porto Palermo tjetër – nga kamp në përkujtim – dëshmi dhe poezi” dhe do të zhvillohet në kalanë e Porto Palermos, një monument i trashëgimisë kulturore.
Autoriteti zbret në kalanë historike për të sjellë në vëmendje të shoqërisë, permes dëshmive, dokumenteve arkivore, dhe ekspozitës me portrete njerëzore, vizatuar nga Lek Pervizi, historinë e pathënë të saj, si vendvuajtje për familjet e kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.
Për një periudhë të shkurtër, 1949-1950, kalaja u përdor si vend internimi i burrave, grave e fëmijëve, familjarë të kundërshtarëve politikë, të cilët mbaheshin të izoluar, në kushte të vështira në mjediset e saj të errëta e pa dritë. Shumë të dënuar të kampit të Tepelenës ndaluan për disa kohë në Porto Palermo.
Qendra Kombëtare të Librit dhe Leximit do të sjellë gjithashtu edicionin e saj të “Varg Festival”, me poezi mbi historinë e Porto Palermos gjatë ekzistencës së saj si kamp-burg, për familjet e kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.
Kalaja e Porto Palermos ka ekzistuar kohë më parë se Ali Pashë Tepelena ta rindërtonte atë në shek. XVIII. Sipas disa shkrimeve të vitit 1912, kjo kështjellë ishte venedikase, megjithatë studiuesit kanë teori të ndryshme rreth kohës së ndërtimit të kësaj kalaje.
Pas restaurimit Ali Pasha e ka pasur nën kontrollin e tij këtë pikë, duke e përdorur atë vetëm si vizitor dhe e ka përshtatur për sfida luftarake.