29 Nëntor, 2023 - 11:09 am
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷199, në 79-vjetorin e Çlirimit shprehet se “sot është dita kur kujtojmë çlirimin e vendit nga pushtuesi nazist më 29 nëntor 1944 dhe përkulemi me respekt para atyre që ranë dëshmorë në luftën për liri të vendit”.
“Çështja e datës së çlirimit mbetet ende ndër më të debatuarat në dekadat pas-komunizmit, por edhe vetë tema e luftës antifashiste mbetet e tillë. Siç pohojnë historianët, studimet shkencore përshkruhen nga “tendenca e hapur politike e klasore, gjë që i ka dëmtuar në frymë dhe deformuar ato në përmbajtje”, thuhet në deklaratën e Autoritetit.
Autoritetit kujton disa prej emrave që kontribuan në Luftën Nacional-Çlirimtare të vendit, por që pushteti i ri i pas luftës i ndëshkoi për shpirtin e tyre demokrat dhe përparimtar.
Shumë prej intelektualëve dhe deputetëve që u ekzekutuan a dënuan në gjyqet e viteve 1947-1948 e kishin mbështetur dhe ndihmuar luftën nacionalçlirimtare dhe drejtuesit e saj.
Autoriteti rikujton disa nga emrat e sjell në vëmendje nga gazetarja Fatmira Nikolli ne tregimin e saj përgatitur për ekspozitën e AIDSSh-së : “Të zgjedhurit-76 vite nga dënimet që heshtën demokracinë”, mbajtur në 12 tetor 2023 në ambientet e parlamentit në kujtim të deputetëve opozitarë.
Deputeti Shefqet Beja ishte pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ekonomist e financier, kontribuoi në daljen e gazetës “Bashkimi” organ i Frontit Nacionalçlirimtar, ishte nën President i Frontit Nacionalçlirimtar (Fronti Demokratik). Arrestohet në gjyqin e parë që njihet si grupi i deputetëve dhe pas disa muajsh hetim dhe gjykim, dënohet me vdekje, varje.
Në shtëpinë e Kol Kuqalit me dy djem dëshmorë, ishin mbajtur takime nga rezistenca, në shtypshkronjën e Loni Adamit ishte shtypur gazeta “Zëri i Popullit”, doktor Enver Szani dhe farmacisti Sulo Konjari qenë me partizanët ose kishin kuruar të plagosurit. Të gjithë ishin antifashistë, por jo të gjithë ishin komunistë. Mes të dënuarve, pos Halit Gjolenës, edhe dy të tjerë ishin komandantë lufte, Islam Radovicka dhe Mestan Ujaniku.
Radovicka u lidh me luftën nacionalçlirimtare në vitin 1943 kur u caktua komandant i zonës Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, mori pjesë në luftën e Drashovicës dhe ishte komandant i trupave për çlirimin e Sarandës ku dhe u plagos. Pati detyra të ndryshme deri sa u bë kolonel më 1944 dhe deputet më 1945. U arrestua me akuzën se u kishte dhënë informacione ushtarake amerikanëve.
Po ashtu, Mestan Uljaniku, i njohur si legjenda e Skraparit, është themelues i një prej çetave të para antifashiste në Shqipëri, që luftoi për çlirimin e Çorovodës. Mestani do të emërohej komandant i Shtabit të Qarkut të Beratit, ndërsa pas çlirimit mbajti detyra të ndryshme; emërohet nënkolonel pranë Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, më tej transferohet në Shkodër derisa gjyqi e dënon me burg, ku edhe vdes.
Një fat tragjik pati edhe një tjetër antifashist i lidhur me luftën që ia dhanë pafajësinë pas vdekjes.
Avdyl Bani, partizan më 1943, arrestohet më 1947 dhe vdes në hetuesi për shkak të torturave. 24 vite pas vdekjes së tij, ngjarja pranohet në një dokument sekret të 18 gushtit 1971 bashkangjitur dosjes 1393.
“Persekutorët dënohen nga historia, të zgjedhurit bëhen pika referimi”, thekson Autoriteti./ atsh / KultPlus.com