26 Gusht, 2024 - 11:49 pm
Sot, në 114 vjetorin e lindjes së Shën Nënë Terezës është organizuar një akademi solemne në shenjë nderimi e mirënjohjeje për veprën e jashtëzakonshme të saj, në Katedralen Nëna Terezë, në Prishtinë.
“Bota nuk e njeh shumë Nënë Terezën si bijë e popullit shqiptar, por bota i njeh shqiptarët si popull i Nënë Terezës”.
Kjo fjali u tha në këtë ceremoni solemne nga ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji i cili Nënë Terezën e cilësoi si personalitetin (pasaportën) më të mirë të popullit shqiptarë në botë.
“Ne sot po kujtojmë një bijë të popullit tonë, e cila nuk ka bërë asnjë gjë tjetër të veçantë përveç se e ka shpallur dashurinë e saj për Zoti, njeriun dhe nuk e ka harruar kurrë dashurinë për popullin e saj. Në fjalimin e saj Budapest ka thënë “Unë e kam në zemër popullin tim shqiptarë”. Kjo dëshmi e heshtur, ka qenë dëshmi e heshtur e çdo shtërngim dore të çdo kryetari të shtetit dhe çdo të pushtetshmi të botës- “Bëni diçka për popullin tim. Ne nuk kemi pasaportë e fytyrë më të mirë e më të shëndritshme, më të shkëlqyeshme se të paraqesim virtytet e popullit tonë përpara botës se sa Nënë Terezën”, ka thënë ipeshkvi Gjergji.
Ai më tej tha se Zoti në kohë të vështira e bekoi popullin shqiptarë me një “çikë” e cila dashurinë dhe shëmbëlltyrën e Zotit e shpërfaqi anekënd botës.
“Zoti vepron me heshtjen e dashurisë së vet për ata që e duan, për gjithë krijesën e vet dhe të gjithë të krijuarit. Në vitin 1910 Zoti e bekoi popullin tonë me një çikë themi ne në Kosovë, duke e dhuruar në familjen e Bojaxhinjve. Në këtë heshtje dashurie e zbërtheu në të gjithë botën një dashuri të madhe të Zotit për njerëzit e vuajtur dhe për njerëzit e mjerë në skaj të botës në Indi, pasaj të rikthyer në të gjitha anët e botës, e pastaj edhe te ne”, ka thënë ai më tej.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Nënë Tereza është shqiptarja e parë që ka fituar çmimin Nobel për paqe, duke u bërë nënë për të gjithë njerëzit në nevojë.
“U bëmë bashkë për të kujtuar Nënë Terezën në datën e lindjes se saj. 114 vite më parë, më 27 gusht 1910, kur prifti Dom Zef Rama, e pagëzoi vajzën e sapolindur me emrin Anjeze. As ai që i dha emër dhe as prindërit e saj që e sollën në jetë nuk kishin se si ta dinin që para duarsh po e mbanin dikë që do të bëhej e njohur botërisht për njerëzinë e saj. Në moshën 69 vjeçare u laureua me çmimin Nobel për paqe, duke u bërë shqiptarja e parë e cila fiton cilëndo kategori të çmimeve”, tha Kurti.
Në këtë ceremoni gjithashtu u tha se Nënë Tereza nuk i përketë vetëm një komuniteti fetar pasi jeta dhe vepra e saj kishte dimension të gjerë në kuptimin e plotë të fjalës, e cila dha shërbim pa dallim ndaj të afërmve në nevojë.
Kujtojmë që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara datën 5 shtatorë e ka shpallur Ditë Ndërkombëtare të Bamirësisë, dhe në këtë ngjarje për të shenjtën e popullit shqiptar u paraqit kërkesa që data 5 shtator në Kosovë të shpallet Festë me motive e aktivitete të shumëta bamirësie./ KultPlus.com