Akademia e Shkencave: Anëtarësia afatgjatë e Xhevahir Spahiut, krenari e nder për të gjithë kolegët

4 Mars, 2025 - 2:01 pm

Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi sot veprimtarinë shkencore jubilare “Xhevahir Spahiu, në 80-vjetorin e lindjes”.

I pranishëm ishte vetë poeti i shquar, Xhevahir Spahiu, kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, akademiku dhe kritiku letrar Ali Aliu si dhe të tjerë dashamirës të poetit Spahiu. Kjo veprimtari e Akademisë së Shkencave vjen pak ditë pas festimit të 80-vjetorit të lindjes së Xhevahir Spahiut (1 mars 1945).

Tubimi festiv u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në ASHSH. Kryesia e Akademisë së Shkencave evidentoi cilësitë e vlerat më të spikatura njerëzore por dhe si poet, që janë një aset i veçantë për ASHSH.

“Anëtarësia e tij afatgjatë në ASHSH përbën krenari e nder për të gjithë kolegët”, u tha në këtë tubim. Akademikët vlerësuan angazhimin e tij aktiv e të qenësishëm në kërkimin shkencor dhe krijimtarinë letrare e artistike.

Akademik Ali Aliu e përvijëzoi kështu Xhevahir Spahiun: “Thjeshtësisht i përzemërt, i hapur dhe i dashur dhe që është i gjithi frymë e zë i gjallë, i trashëgimisë njerëzore”.

Ky vit shënon gjithashtu një gjysmë shekulli krijimtari letrare e poetike, që ka fituar dashurinë e lexuesit të këtij përfaqësuesi të letërsisë shqiptare./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme