1 Gusht, 2023 - 2:32 pm
Institucioni më i lartë i vendit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës edhe përkundër asaj se konsideron se brenda këtij institucioni përfshinë kokat e vendit, dhe jo vetëm, të njëjtën nuk e dëshmon edhe faqja zyrtare e këtij institucioni, shkruan KultPlus.
Në këtë faqe ku është kategoria e anëtarëve të Akademisë, e ku në nënkategoritë më pas janë të ndara në anëtarë të rregullt dhe korrespodentë, në atë anëtarë të jashtëm dhe nënkategoria in memoriam, kanë mbet të ndara vetëm me emërtime, pasi që kur klikon nëpër nënkategori, përfshirja e listës lë shumë për të dëshiruar.
Çdo nënkategori ka përmbajtjen e njëjtë, dhe e njëjta listë figuron në të tri kategoritë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në kategorinë in memoriam ka të përfshirë akademikë të gjallë e të vdekur, edhe përkundër përshkrimit të nënkategorisë që të drejton se kjo kategori përfshin vetëm akademikët e vdekur.
Kjo nënkategori fillon me Ferid Muratin e përfundon me Fetah Podvorica, e në përbërje të kësaj liste përpos akademikëve që nuk janë më në mesin e të gjallëve, në listën e të vdekurve është përfshirë edhe Ismail Kadare, Xhevdet Xhafa, Shkumbin Munishi, Gjyljeta Mushkolaj e shumë të tjerë, që ASHAK gabimisht i ka futë në kategorinë in memoriam.
Ndërkohë, kur jemi të kategoria in memoriam, pikërisht ata që do të duhej të ishin në atë listë, nuk janë, sikurse është rasti me arkeologen e ndjerë Edi Shukriu, e cila nuk figuron në faqen e ASHAK, në asnjërën kategori.
Dhe përpos kësaj përzierje të listave në faqen zyrtare të ASHAK, mungojnë emrat edhe të shumë akademikëve që nuk janë përfshirë fare nëpër kategori, duke përfshirë: Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Bardh Rugova…
E jo më mirë paraqitet edhe kategoria e kryesisë së këtij institucioni, askund nuk përmendet se në krye të këtij institucioni është Mehmet Kraja, duke u përfshirë edhe në këtë kategori një listë e ngjashme sikurse nëpër kategoritë e tjera.
KultPlus ju sjell linçet e nënkategorive të faqes zyrtare të ASHAK, ku edhe mund të shihni për së afërmi këto lëshime jo të lehta të këtij institucioni të lartë të vendit./ KultPlus.com