29 Maj, 2024 - 11:40 am
U nënshkrua dje marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetit të Arteve.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe rektori i Universitetit të Arteve prof. Kastriot Çaushi, në praninë e zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Vasil Tole dhe sekretarit shkencor akad. Shaban Sinani.
ASHSH bëri me dije se, marrëveshja e bashkëpunimit midis palëve shtrihet në të gjitha fushat e dijes, me përparësi fushat me më shumë interes të përbashkët, si studimet për artin dhe kulturën.
Palët do të bashkëpunojnë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume etj. Marrëveshja ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe midis strukturave përbërëse të tyre./atsh/KultPlus.com