18 Prill, 2020 - 10:02 am
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri paraqiten me një qëndrim të përbashkët për vëmendjen ndaj shkencës, kulturës dhe arteve në kushtet e distancimit social për shkak të pandemisë COVID-19.
Në një njoftim për shtyp, Akademia e Shkencave (ASH) bën të ditur se, “Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri janë duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19 në gjithë botën. Shoqëria e sotme, e kërcënuar nga një rrezik që kurrë nuk është njohur më parë, po e kupton më mirë se sa të rëndësishme janë për fatet e saj, sot dhe në të ardhmen, shkenca, kultura, artet dhe ndërkomunikimi”.
Sipas ASH-së, meritojnë mirënjohjen dhe mbështetjen tonë në mënyrë të veçantë të gjithë ata njerëz të dijes që gjenden në vijën e parë të rrezikut, ballë për ballë me pandeminë, duke luftuar ditë për ditë me të keqen: mjekët dhe infermierët, të cilët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetë njerëzore. Shkenca dhe bota intelektuale po qëndrojnë me dinjitet përballë fatkeqësisë botërore, duke kërkuar rrugë e zgjidhje për t’u kthyer sa më parë në normalitet.“Jemi të detyruar të zgjedhim të keqen më të vogël: të pranojmë distancimin shoqëror për të zvogëluar dhe mbajtur nën kontroll përhapjen e pandemisë, me qëllimin parësor mbrojtjen e jetës, megjithëse e dimë mirë se kjo ka rrezikuar dhe do të rrezikojë përkohësisht ndërkomunikimin në shkencë, kulturë dhe art”.
“Shqipëria dhe Kosova, si gjithë të tjerët në botë, janë vënë përballë një rendi dhe forme të re komunikimi intelektual, ku të rrezikuara nuk janë vetëm jetët e njerëzve apo ekonomitë, por edhe shkenca, kultura dhe arti me gjithë përbërëset e tyre. Në një mënyrë gati të padukshme dhe larg vëmendjes së opinionit, çdo vlerë shkencore e kulturore po relativizohet, po humb peshën e vet, po humb funksionin shoqëror dhe emancipues, duke u shtyrë gjithnjë e më shumë në periferi të zhvillimeve shoqërore; po bëhet e pavërejtur dhe e panevojshme, duke u kthyer në veprimtari sekondare”, theksohet në njoftim.
“Duke e ditur dhe duke e parandier se pasojat e kësaj pandemie do të jenë afatgjata; synojmë të tërheqim vëmendjen e opinionit kulturor që të qëndrojë i përbashkuar dhe të angazhohet për të mos lejuar një erozion të pritshëm intelektual. Qëndrimi ynë është që, ashtu siç nuk duhen pritur fatkeqësitë dhe traumat e mëdha natyrore për të kuptuar rëndësinë e shkencës, kulturës dhe ndërkomunikimit, ashtu nuk duhet lejuar që në një të ardhme të afërme ato të gjenden sërish të rrezikuara nga harrimi. Shkenca, arti dhe kultura jonë kombëtare tashmë kanë krijuar një fond veprash me vlerë identitare, të cilat duhen ruajtur dhe kultivuar.
Ne gjithashtu tërheqim vëmendjen se bashkëpunimi e komunikimi ndërkulturor e ndërshkencor nuk duhet të pësojë siç kanë pësuar gjithnjë në rrethana krizash, por duhet të intensifikohen, me idenë se një njësi monolite intelektuale është më e qëndrueshme dhe më e përgatitur për sfidat e ardhshme, duke përfshirë edhe përballjen me ndryshimet globale, të cilat janë të pritshme në rrethanat e krijuara.Ne nuk do të reshtim së kërkuari emancipim kulturor të vazhdueshëm, hapësirë për vlerat e reja në të gjitha fushat e krijimtarisë shkencore dhe artistike, bashkëpunim institucional në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, bashkëpunim dhe njohje me kulturat e tjera, vlerësim të merituar të arritjeve fondamentale kulturore dhe shkencore dhe përsosje më të madhe të përbërësve themelorë të identitetit tonë, siç është gjuha, historia dhe trashëgimia.
Ne kërkojmë që, edhe në këtë rrethanë, kur na duhet frymëzim për këtë betejë të pashembullt dhe na duhet ta gjejmë forcën e fitores, t’u kthehemi vlerave tona themelore identitare, traditës tonë më të mirë dhe idealizmit tonë kulturor dhe kombëtar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Akademisë së Shkencave. /atsh/ KultPlus.com