22 Prill, 2025 - 1:20 pm
Komisioni i Mjekësisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi tryezën e rrumbullakët mbi autizmin në Shqipëri.
Tema e kësaj tryeze ishte “Spektri i Autizmit dhe problemet aktuale të lidhura me të në Shqipëri”. Kryetari i Komisionit të Mjekësisë, akad. Genc Sulçebe, theksoi rëndësinë e kësaj problematike në rritje dhe nevojën për një trajtim multidisiplinar dhe të koordinuar.
Nisma për këtë veprimtari u propozua nga prof. Albana Fico, e cila theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së hershme dhe bashkërendimit të punës ndërmjet specialistëve të ndryshëm për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me çrregullime të spektrit autik (ASD).
Gjatë këtij takimi u theksua mungesa e protokolleve të standardizuara për diagnostikim dhe trajtim; nevoja për pajisje me instrumenta bashkëkohorë vlerësimi si ADOS; mungesa e stafit të trajnuar në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë vendin; mbingarkesa e qendrave ditore dhe mungesa e shtrirjes gjeografike në zona rurale; Nevoja për krijimin e qendrave satelitë sipas modelit të QKTRF; Domosdoshmëria për hartimin e protokolleve të specializuara rehabilituese në fusha të ndryshme: logopedike, psiko-motorike, edukim special, terapi grupi dhe okupacionale.
Në Shqipëri mund të ketë mbi 6000 deri në 14.000 fëmijë me autizëm, ndërkohë që sistemi shtetëror identifikon vetëm rreth 2500 raste që përfitojnë KEMP, nga të cilët rreth 1500 me kujdestari. Rreth 40 milionë euro në vit shpenzohen nga familjet jashtë sistemit publik për terapi dhe shërbime mbështetëse, ndërkohë qe shumë nëna dalin nga tregu i punës për të kujdesur për fëmijë.
Shpenzimet për terapi dhe mësues mbështetës arrijnë mesatarisht në 10,000 euro në vit për familje.
Akademia e Shkencave bëri të ditur përmes një postimi online se, do të vazhdojë të promovojë shkencën dhe debatin profesional mbi temat me ndikim të lartë shëndetësor dhe social. /atsh/ KultPlus.com