Akademia e të Rinjve drejt rithemelimit

9 Mars, 2024 - 12:45 pm

Akademia e Shkencave e Shqipërisë po punon për ngritjen e Akademisë së të rinjve.

Për këtë qëllim është mbledhur komisioni i ngritur nga Akademia e Shkencave për konkursin e pranimit të anëtarëve të rinj të Akademisë së të Rinjve, në përputhje me kriteret bazë të Statutit dhe “Kartës themelore të ALLEA-s” .

Komisioni, me praninë e gjithë anëtarëve, nën drejtimin e akademikut Adrian Civici, bëri vlerësimin e përputhshmërisë së të dhënave të kandidatëve të regjistruar sipas dokumenteve depozituar në dosjet e tyre.

U vërejt se thirrjes së Akademisë së Shkencave për pjesëmarrje në konkurs i janë përgjigjur 13 kandidatë. Kërkesat me karakter shkencor (mbrojtja e doktoratës, veprimtaria botuese, vlerësimi nga njësia e kërkimit shkencor/universitar) janë plotësuar nga të gjithë. Shumica e kandidatëve kanë  artikuj të indeksuar në platforma e baza ndërkombëtare të dhënash (Research Gate, Google Scholar, duke përfshirë platformën Scopus etj.). Profili i tyre intelektual është mbresëlënës.

Lidhur me kriterin moshor, që është i njësuar në të gjitha akademitë e ngjashme në Europë, tre prej tyre e kanë kaluar moshën 40 vjeç.

Në mbledhje u vlerësua veprimtaria e anëtarësisë së deritashme të Akademisë së të Rinjve, anëtare e Global Young Academies. Tre nga anëtarët e saj janë në moshën nën 40 vjeç dhe do të rikonfirmohen nga komisioni në përbërjen e akademisë së rithemeluar.

Anëtarësia e mëparshme do të ftohet të vazhdojë bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave në kuadër të komisioneve të përhershme dhe të strukturave të tjera të saj.

ASHSH do të kryejë ndaj tyre detyrën e kujdesit në karrierë me të njëjtat përgjegjësi si zyrat e Alumnit në universitete.

Së shpejti komisioni do të shpallë vendimin e tij dhe pas kësaj do të organizohet ceremonia e konstituimit të Akademisë së ringritur të të Rinjve. Ajo do të ketë statusin e një komisioni të përhershëm, mbështetje morale dhe intelektuale nga ASHSH, një tribunë botimesh shkencore (anuar), si dhe një buxhet të arsyeshëm për veprimtari shkencore dhe pjesëmarrje në evente të rëndësishme.

Një nga dy sesionet e Asamblesë së Përgjithshme të ALLEA-s, që do të mbahet në muajin maj 2024 në Berlin-Brandenburg, do t’i kushtohet veprimtarisë së akademive të të rinjve./ KultPlus.com

Të ngjajshme