26 Janar, 2022 - 4:30 pm
Akademia Olimpike e Komitetit Olimpik të Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota në Akademinë Olimpike Ndërkombëtare (IOA), përcjell KultPlus.
KOK kishte aplikuar për anëtarësim muajin e kaluar, ndërsa konfirmimi zyrtar ka ardhur sot, me përfshirjen e Kosovës në mesin e të gjitha Akademive tjera Olimpike Kombëtare.
Është ky një hap tjetër drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të Akademisë Olimpike, e cila u themelua nga KOK-u vetëm muaj më parë.
Qëllimi i Akademisë Olimpike të Kosovës është të promovojë vlerat olimpike dhe shpirtin olimpik në Kosovë, me fokus të veçantë edukimin e stafit profesional në fushën e sportit.
Me këtë rast, javën e kaluar, u organizua kursi teknik për trajnerët dhe gjyqtarët e mundjes, ndërsa që nga kjo javë do të nis edicioni i tretë i Kursit të Avancuar për Menaxhimin Sportiv (ASMC)./ KultPlus.com