17 Tetor, 2019 - 4:30 pm
Akademia Suedeze ka mbrojtur vendimin e saj, për dhënien e çmimit Nobel në Letërsi, shkrimtarit austriak, Peter Handke, duke shtuar se ai bëri deklarata proaktive, por nuk e mbështeti gjakderdhjen.
Mirënjohja për Handken ka ngjallur shumë kritika, duke përfshirë të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave të masakrës së Srebrenicës në 1995. Ata po i bëjnë thirrje Akademisë Suedeze të tërheqë vendimin për çmimin.
Handke foli në funeralin ish-presidentit jugosllav Slobodan Milosheviq më 2006. Millosheviq vdiq në njësinë e paraburgimit të Gjykatës së Hagës, derisa po zhvillohej gjyqi kundër tij, me akuzat për krime lufte në Ballkan në vitet 1990.
Handke gjithashtu mbështeti liderët serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq, të cilët janë të dënuar për gjenocid në Srebrenicë.
Në një tekst në gazetën suedeze “Dagens Nyheter”, Mats Malm, kreu i Akademisë Suedeze, pranoi që Handke ka bërë “komente provokuese, të papërshtatshme dhe të paqarta për çështje politike”.
Sidoqoftë, ai theksoi se ai nuk e glorofikoi gjakderdhjen dhe e dënoi qartë masakrën e Srebrenicës.
“Akademia nuk ka gjetur asgjë në shkrimet e tij që përbën një sulm ndaj shoqërisë civile ose ndaj respektit për barazinë e të gjithë njerëzve”, shkroi Malm.
Akademia Suedeze citoi një tekst të gazetës gjermane “Sueddeutsche Zeitung” në vitin 2006, në të cilën Handke theksoi se masakra e Srebrenicës ishte krimi më i keq kundër njerëzimit në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ndarja e çmimit Nobel për shkrimtarin austriak, nga ana e Komitetit të Nobelit, kishte ngjallur reagime të shumë institucioneve dhe personaliteteve botërore. /rel/ KultPlus.com