4 Janar, 2024 - 12:08 pm
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka përgëzuar akad. Nazim Gruda për vlerësimin e marrë si “Investigador distinguido” nga Universiteti Politeknik i Kartagjenës (Spanjë).
Përzgjedhja e akademikut shqiptar vjen pas thirrjes së Ministrisë së Universiteteve të Spanjës, përmes projektit të titulluar “Modernizimi dhe dixhitalizimi i sistemit arsimor”, në kuadër të planit të rimëkëmbjes, transformimit dhe reziliencës të shkencës dhe arsimit të lartë, për thithjen e shkencëtarëve më të talentuar nga Europa.
Kjo përzgjedhje i mundëson akad. Grudës të vijojë studimet dhe bashkëpunimin me UPCT, bashkëpunim ky me një histori disavjeçare, që përfshin projekte kërkimore dhe botime të përbashkëta. Në vitin 2021, ai ishte edhe ligjërues në kuadër të shkëmbimeve Erasmus.
Universiteti Politeknik i Kartagjenës është universiteti teknik më i ri në Spanjë, edhe pse disa nga shkollat e tij u themeluan në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të. UPCT është pjesë e shoqatës UP4 së bashku me Politeknikën e Madridit, Katalonjës dhe Valencias.
I njohur gjerësisht për studimet e tij në hortikulturë dhe si specialist në substratet bimore, akad. Gruda do të luajë një rol kyç në projektin për zhvillimin e hortikulturës urbane dhe “vertical farming”.
Akad. Gruda është autor i mbi 300 punimeve shkencore, prej të cilave 100 në Scopus dhe renditet si kërkues me punime me një indeks citimi shumë të lartë.
Edhe në vlerësimin e kryer nga ekspertët e Universitetit të Stanfordit në SHBA vitet e fundit ai renditet në 2 % të shkencëtarëve më me ndikim në “World’s Top 2 per cent Scientists”; ndërsa sipas indeksit-h të “Google Scholar” për hortikulturën, në 10 shkencëtarët më të suksesshëm të Europës./atsh/KultPlus.com