25 Shkurt, 2022 - 9:00 pm
Akademia e Shkencave ka shpallur fitues të “Çmimit të karrierës” për vitin 2021 akademikun Bardhyl Golemi, në mbledhjen e asamblesë që u mbajt sot.
Akademik Golemi u vlerësua me motivacionin: “Personalitet me veprimtari intelektuale universitare dhe akademike gjurmëlënëse brenda dhe jashtë vendit për mbi gjashtë dekada; anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1999; i shquar për studimet e tij themeluese me rëndësi bazale në fushën e inxhinierisë elektrike dhe elektronike; autor i katër monografive dhe gjashtë teksteve universitare që u kanë shërbyer e u shërbejnë për më shumë se një gjysmë shekulli dhjetëra brezave studentësh e studiuesish; me një rol të dukshëm cilësor në drejtimin e qendrave dhe organizatave shkencore prej njësive bazë deri tek Komisioni Kombëtar i UNESCO-s; duke ushtruar me sukses funksione të larta në administratën shtetërore dhe institucionet shkencore; i vlerësuar në botën shkencore jashtë vendit dhe i përfshirë në borde të tribunave shkencore të njohura; fitues i mirënjohjeve të larta qytetare në nivel kombëtar”.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, në pamundësi të pranisë fizike në mbledhjen e asamblesë të akad. Golemit, për arsye shëndetësore, i dorëzoi çmimin të bijës, Mirela Golemit.
Akad. Golemi në përshëndetjen drejtuar Akademisë së Shkencave, tha se puna e akademikëve ngrihet mbi shpatullat e pararendësve, por duke vënë re zhvillimet e fundit në Akademinë e Shkencave ka ndjerë një kënaqësi të veçantë për arritjet e shumta. /atsh/KultPlus.com