3 Tetor, 2021 - 5:29 pm
Edhe pse Komisioni Evropian tre vite më parë propozoi heqjen e ndryshimit të orës gjatë dimrit, vendet anëtare ende nuk janë pajtuar rreth kësaj çështje dhe duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë as në një të ardhme të afërt.
“Të dielën më 31 tetor, do të lëvizim orën”, ka thënë të premten zëdhënësi i Komisionit Evropian, Stefan de Keersmaecker, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se çfarë po ndodh me propozimin për heqjen e ndryshimit të orës pas përfundimit të javës së fundit të marsit dhe asaj të tetorit.
Lëvizja e orës do të duhej të ndalej në vitin 2019, pasi që ish-presidenti i KE-së, Jean Clause Junker, në vitin 2018 pati propozuar që të aplikohet një praktikë e tillë në tërë Bashkimin Evropian, duke ua lënë në dorë vendeve anëtare që të vendosin nëse do të përkrahin kohën verore apo dimërore të orës.
Propozimin e kishte përkrahur Parlamenti Evropian në vitin 2019, por do të duhej ta miratonin vendet anëtare. Aktualisht nuk ka një informacion nëse propozimi do të mund të kishte përkrahjen e tyre.
Në anën tjetër, ministrat evropian të Komunikacionit, kanë vendosur në dhjetor të vitit 2018 të shtyjnë vendimin për heqjen e lëvizjes së orës nga viti 2021, por nga atëherë asgjë nuk ka ndodhur./Kultplus.com