12 Korrik, 2019 - 9:15 pm
Spela Vodeb dhe Alexandre Fray sot në oren 18:00 ishin në Project Space Shtatëmbëdhjetë, për të ndarë eksperiencat e tyre rreth performancës së mbrëmshme, në kuadër të edicionit të pestë të festivalit “Hapu”.
“Un Loup Pour l’Homme” është një kompani franceze e cirkut që këtë vit ishte pjesë e festivalit “Hapu” me performancën e tyre të quajtur Face Nord. Artistët në takimin e tyre me publikun diskutuan rreth eksperiencave të tyre si akrobat, vështirësitë dhe te mirat që vijnë bashkë me profesionin.
“Para se të bëhesha akrobate gjithmonë e kam dashur vallëzimin, ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës sime, më pas fillova të pëlqej edhe akrobacinë dhe kështu vendosa t’i kombinojë këto të dyja” , kështu u shpreh performuesja Spela Vodeb Ata poashtu treguan se për të përgatitur një shfaqje të tillë duhet mund dhe përkushtim, pasi që përgatitja merr një kohë mjaft të gjatë. Përpos akrobacioneve, sipas artistëve, ata duhet edhe të njohin njëri tjetrin, të jenë në gjendje të komunikojnë pa fjalë, të improvizojnë , të komunikojnë me audiencën, të ndjekin njëri tjetrin dhe, mbi të gjitha të jenë në gjendje të kujdesen për njëri tjetrin gjatë gjithë shfaqjes.
Ajo çka artistët e konsideronin mjaft të rëndësishme, ishte emocionin që ata e përçonin në audiencë e sidomos te fëmijët, “Mbrëmë ka pasur shumë fëmijë të cilët brohorisnin, ata për ne janë shembull. Edhe ne si ata, gjatë gjithë kohës provojmë e mundohemi të ecim pa u rrëzuar” u shpreh Alexandre Fray. Festivali do të mbahet deri më 18 korrik dhe është I hapur për të gjithë. /KultPlus.com