17 Maj, 2020 - 1:18 pm
Qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, në një akt të paprecedent, sot herët në mëngjes ka shembur godinën historike të Teatrit Kombëtar Shqiptar. Aksioni banditesk është shoqëruar me dhunë ndaj artistëve dhe aktivistëve qe po e mbronin teatrin tash e gati 3 vite.
Me dhjetëra aktivistë e artistë janë arrestuar dhe dërguar në stacion policor në orët e hershme të mëngjesit, duke përfshi këtu edhe gazetarë. Në mars 2020, ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Tiranës u listua ndër shtatë objektet më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra – një ndër organizatat më të mëdha për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Evropë.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrë protestë sot në Tiranë dhe me qindra qytetarë tashmë janë mbledhur në zonën rreth Teatrit.
Në shenjë solidariteti me përpjekjen e tyre gati tre vjeçare, sot në ora 17:00 para Teatrit Kombëtar të Kosovës të gjithë ata që janë të prekur nga kjo ngjarje, do të mblidhen për shprehur indinjatën e tyre në raport me shembjen e Teatrit në Shqipëri.
‘Ftojmë të gjithë/a ata/o që ndajnë të njëjtat bindje, të na bashkohen sot para Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke respektuar rekomandimet e IKSHPK dhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së COVID – 19. Ju lutemi të jeni të pajisur me maska e dorëza si dhe të mbani distancën prej së paku 2 metrash nga pjesëmarrësit/et tjerë/a në aksionin simbolik. Për të mbajtur distancën e rekomanduar ju lutemi të pozicionoheni tek pikat e vendosura në sheshin para Teatrit.’, thuhet në njoftimin për media. / KultPlus.com