2 Maj, 2023 - 3:36 pm
Fondacioni “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare Kulturore “Luma” nga Kukësi, SHHSHM-Shkup (Shoqata e historianve Shqiptar në Maqedoni), personalitete dhe historian nga bota akademike, kanë mbajtur sot një aksion simbolik në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke u deklaruar kundër heqjes së emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës.
Gjatë këtij aksioni simbolik janë dërguar lule të freskëta tek shtatorja e Hasan Prishtinës në Prishtinë, me ç’rast organizatorët janë deklaruar rreth kundërshtimit të kësaj ideje dhe hapave që do të ndërmarrin në vijim.
Drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina është shprehur se e kundërshtojnë fuqishëm këtë ide dhe do të ndërmarrin disa hapa në vazhdim.
“Arsyetimi i rektorit se kjo çështje shkakton konflikt apo shkakton probleme në rangimin ndërkombëtar të punimeve shkencore është i pa bazë. Lidhur me këtë argumentim unë jam duke u marrë prej vitit 2013 kur rektori e ka shfaqur këtë indinjatë, këtë pakënaqësi të emërtimit. Një nismë e një rektori të porsazgjedhur duhet të përfundoj me largimin e tij sepse e ka nis mbrapsht reformën”, është shprehur Mehmet Prishtina duke thënë se kjo ide është ofendim i rëndë për të gjithë shqiptarinë. / KultPlus.com