Aktivistët mbulojnë me supë pikturën e Van Gogh

5 Nëntor, 2022 - 9:33 am

Aktivistët e mjedisit mbuluan me supë një pikturë të Van Gogh të mbrojtur nga xhami, një veprim i cili u dënua menjëherë nga ministria italiane e kulturës.

“The Sower”, një vepër e vitit 1888 që përshkruan një fshatar duke mbjellë arën e tij, me një diell të madh në sfond, është ekspozuar në Palazzo Bonaparte në Romë si pjesë e një ekspozite kushtuar piktorit holandez të shekullit të 19-të. Piktura nuk është dëmtuar.

 “Sulmi ndaj artit është një akt i neveritshëm që dënohet kategorikisht. Kultura, e cila është baza e identitetit tonë, duhet të mbrohet dhe sigurisht të mos përdoret si zëdhënës për forma të tjera proteste,” tha në një deklaratë ministri i Kulturës Gennaro Sangiuliano.

Në fillim të këtij muaji, dy aktivistë të “Brezit të fundit” hodhën pure patatesh në një pikturë të Claude Monet në muzeun Barberini në Potsdam, Gjermani. Aktivistë të tjerë mjedisorë u mbërthyen pas xhamit që mbron “Vajzën me vathë perle” të Johannes Vermeer në një muze në Holandë dhe disa hodhën supë mbi “Sunflower” të Van Gogh në Galerinë Kombëtare të Londrës. /abcnews.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme