Aktivisti alarmon për mundësinë e rrënimit të një objekti tjetër në Mitrovicë

11 Mars, 2022 - 9:42 pm

Duke alarmuar se objekti i “Shtëpisë së Armatës” mund të rrëzohet nga komuna, aktivisti nga Mitrovica, Besart Peci, thotë se kjo ndërtesë duhet të ruhet e të shërbejë si rrëfim për torturat dhe ndjekjet që shqiptarët i kanë përjetuar në kohën kur objekti u ndërtua nga shteti jugosllav.

Pas rrënimit të objektit të shkollës së parë shqipe në Mitrovicë, aktivisti i shoqërisë civile thotë se një tjetër objekt i vjetër mund të rrënohet. Bëhet fjalë për objektin “Shtëpia e Armatës”, i cili, sipas Pecit, duhet të ruhet e të shërbejë si memorie kolektive e periudhës së viteve ’50-’60.

“Gjeneratat e tri dekadave të fundit kanë të drejtë të dijnë për “Dom Jugosllovenske Narodne Armije”  dhe “Sekretarijat unutrasnjih poslova” dhe tmerrin që e kanë shkaktuar këto entitete politike, së bashku me post-blloqet policore dhe burgjet. Duhet të dijnë sidomos për vitet 50-ta dhe 60-ta, e njohur si periudha “e Rankoviçit”, kohë kur u ndërtua objekti në fjalë, gjatë së cilës u shpallë gjendje e jashtëzakonshme e kishte shumë përndjekje dhe persekutime të mëdha politike.”

Duke përmendur rrëzimin e para disa ditëve të objektit të dikurshëm të shkollës “Tefta Tashko”, aktivisti thotë se edhe objekti i “Shtëpisë së Armatës” rrezikohet nga ‘bageri’ i komunës.

“Shtëpia e Armatës është monumenti që rikthen njohuritë tona mbi të kaluarën. Është rasti i Komunës së Mitrovicës që t’i mbushë muret e saj me kujtime, rrëfime dhe dëshmi të torturave të bashkëqytetarëve tanë, për të ndërtuar një kujtesë. Praktikat aktuale na lënë të kuptojmë që ky objekt rrezikohet nga “bageri” i pushteteve komunale, që ka dëshmuar tashmë veten”, ka shkruar ai.

Shkrimi i plotë dhe pa ndërhyrje i aktivistit:

SHTËPIA E ARMATËS: A DO TË RRËNOHET EDHE NJË OBJEKT TJETËR HISTORIK NË MITROVICË NGA KOMUNA E SAJ?

Strukturat monumentale që janë lënë si trashëgimi nga pushteti jugosllav gjithandej Kosovës, doemos shihen si lidhje e ngushtë politike nga gjenerata që ka përjetuar epokën e atëhershme dhe si një mungesë e njohurive mbi historinë nga gjenerata e re.

E tillë është edhe “Shtëpia e Armatës Jugosllave” në qendër të qytetit të Mitrovicës, e ndërtuar në vitet e 60’-ta. E kam përmendur edhe më parë, se objektet që kanë shërbyer në të kaluarën për ushtrinë jugosllave duhet ruajtuar (mbrojtje), për të kujtuar (muze), sepse qyteti, në vetëvete është kujtesë kolektive.

Gjeneratat e tri dekadave të fundit kanë të drejtë të dijnë për “Dom Jugosllovenske Narodne Armije”  dhe “Sekretarijat unutrasnjih poslova” dhe tmerrin që e kanë shkaktuar këto entitete politike, së bashku me post-blloqet policore dhe burgjet. Duhet të dijnë sidomos për vitet 50-ta dhe 60-ta, e njohur si periudha “e Rankoviçit”, kohë kur u ndërtua objekti në fjalë, gjatë së cilës u shpallë gjendje e jashtëzakonshme e kishte shumë përndjekje dhe persekutime të mëdha politike.

Shtëpia e Armatës është monumenti që rikthen njohuritë tona mbi të kaluarën. Është rasti i Komunës së Mitrovicës që t’i mbushë muret e saj me kujtime, rrëfime dhe dëshmi të torturave të bashkëqytetarëve tanë, për të ndërtuar një kujtesë. Praktikat aktuale na lënë të kuptojmë që ky objekt rrezikohet nga “bageri” i pushteteve komunale, që ka dëshmuar tashmë veten.

Ka ekzistuar një përpjekje e pushtetit para disa viteve që objektin ta shndërrojë në parking publik, por ka qenë zbrapsur nga presioni i qytetarëve nëpërmjet reagimeve publike, që rezultoi me futjen e tij në listën për trashëgëmi kulturore për mbrojte të përkohshme.

Në Planin Zhvillimor Komunal potencohet qartazi tek infrastruktura publike “Ndërtimi i muzeut të qytetit përballë shtëpisë së armatës”, duke lënë hapësirë për dyshime se çfarë do të ndodhë me “Shtëpinë e Armatës”, sidomos kur lexohet fusha e “prioriteve strategjike për krijimin e hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, “Muzeu i qytetit planifikohet të ndërtohet përballë  shtëpisë së Armatës” që nënkupton, përtej rrugës Shemsi Ahmeti, e cila ndanë pronat tërësisht dhe largazi.

Komuna e Mitrovicës asnjëherë nuk e ka bërë të qartë qëndrimin zyrtar lidhur me objektin në fjalë, as nëpërmjet shkresave zyrtare, prononcimeve apo postës elektronike. Ajo së fundmi ka rrënuar një objekt të një historie të veçantë, ish-objektin e shkollës së parë në Mitrovicës, “Tefta Tashko” që nuk u parapa në planifikimet e saja për Hartën Zonale Komunale. Mungesa e transparencës, në mospublikimin e procesverbaleve në takimet me qytetarë shton dyshimet se “Muzeu i Qytetit” po përdoret si pretekst për të rrënuar “Shtëpinë e Armatës”.

Andaj, Komuna e Mitrovicës duhet të publikojë qëndrimin e saj zyrtar dhe të nis hapat për futjen e objektit në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojte.

Qytetarët/et e Mitrovicës do të rezistojnë fuqishëm po qe se Komuna mëton avazin e rrënimeve të objekteve të rëndësishme kulturo-historike sikur pushtetet e kaluara. Disa viktima të rrënimeve ishin: Kinemaja Tesla, Teatri i Qytetit, Shtëpia e Arsim Leniqit dhe e fundit ish-objekti i shkollës së muzikës “Tefta Tashko”.

Jeta kulturore, kujtesa kolektive, vriten e shuhen në një qytet ku pushteti i shërben oligarkëve e jo banorëve. / KultPlus.com

Të ngjajshme