19 Qershor, 2020 - 12:58 pm
Sot, duke filluar nga ora 11:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, është mbajtur ekspozita e parë e plagjiaturës në Kosovë, e cila erdhi pas një pune 3 vjeç e gjysmë të ORCA-s, në të cilën u shfaqën plagjiaturat e ministrit të arsimit, Ramë Likaj, njofton KultPlus.
Mirëpo, aktivisti Rron Gjinovci i cili ishte edhe organizator i kësaj ekspozite, sot u shoqërua në polici. Ai përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, ka njoftuar për rastin.
”Qytetarë, sapo u shoqërova në stacionin policor Qendra për shkak të ekspozimit të plagjiaturave të Ministrit Ramë Likaj. Kjo nuk ka ndodhë asnjëherë më parë. Kjo po ndodh kur Ministër i Brendshëm është Agin Veliu i qeverisë jolegjitime Hoti’, është shprehur Gjinovci në statusin e tij.
Ndërkaq ky i fundit është liruar menjëherë pasi u konstatua se aktiviteti i sotëm nuk kishte elemente të veprës penale.
”Ju njoftojmë se aktivisti Rron Gjinovci u lirua nga stacioni i policisë pasi u konstatua nga prokurori kujdestar se aktiviteti i sotëm nuk kishe elemente të asnjë vepre penale. Atij iu shqiptua vërejtje verbale për mosrespektim të procedurave për lajmërimin e aktivitetit.”, njoftoi ORCA. / KultPlus.com