13 Shkurt, 2025 - 9:56 am
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, organizuan promovimin e librit “Një tufë proverbash” (botim anastatik) të folkloristit, leksikografit dhe publicistit Sotir Kolea. Gjatë takimit u shfaq edhe premiera e dokumentarit kushtuar jetës dhe veprës së tij.
Aktiviteti, i cili u zhvillua në kuadër të 80-vjetorit të botimit të parë të kësaj vepre dhe në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea” të BKSH-së, solli në vëmendje kontributin e çmuar të Koleas në studimet folkloristike dhe trashëgiminë kulturore jomateriale.
Në panel ishte i pranishëm Niko Kotherja, drejtor i Qendrës Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, Majlinda Toçi, zv/drejtore e Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë dhe Nini Haxhistasa, studiuese dhe njëkohësisht, stërmbesa e vizionarit Sotir Kolea.
Ky event bëri bashkë studiues, akademikë dhe dashamirës të gjuhësisë, folklorit e historisë, duke kujtuar një figurë të rrallë të historisë sonë, Sotir Kolean.
Në përmbyllje të kësaj veprimtarie, Zana Shuteriqi, e bija e prof. Dhimitër Shuteriqit, ndau me të ftuarit disa kujtime mbresëlënëse./atsh/KultPlus.com