14 Mars, 2024 - 5:00 pm
Në Tiranë, po mbahen aktivitetet të shumta artistike dhe kulturore të organizuara nga Bashkia e Tiranës për Ditën e Verës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga atmosfera festive në rrugët e kryeqytetit, të cilës i janë bashkuar edhe qytetarë të shumtë të të gjitha moshave.
“Tirana tani”, shkruan Rama, teksa tregon pamje nga banda frymore e cila po performon në Bulevardin kryesor të Tiranës.
Ndërkaq, fotoreporteri i ATSH-së Florian Abazaj ka sjellë foto nga atmosfera e gëzueshme dhe eventet që po mbahen në akset kryesore në Tiranë për Ditën e Verës si në sheshin “Skënderbej”, “Dëshmorët e Kombit”, “Nënë Tereza”, te parku “Rinia” por edhe te “Reja”.
Me një program të plotë, për rreth 24 orë janë 34 evente të ndryshme që do e shoqërojnë ditën e sotme që nga koncertet, ekspozitat, performancë artistike nëpër qytet, deri te aktivitete sportive dhe shfaqje të ndryshme kulturore.
Aktiviteteve të shumta festive u është bashkuar edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me stendën “Farming Zone”, ku qytetarët do të gjejnë më shumë njohuri për specialitetet e prodhimeve shqiptare dhe do mund të provojnë shijet e tyre fantastike.
Gjatë gjithë ditës, edhe fëmijët e të rinjtë do të kenë mundësi të përjetojnë piktura në fytyrë, muzikë në sfond dhe lojëra të ndryshme për fëmijët.
Edhe Pazari i Ri në Tiranë do të shndërrohet në qendrën e festimeve për Ditën e Verës me karnavalet e Shkodrës që do të zbresin në kryeqytet për të duke performuar stilin e tyre unik.
Dita festive do të mbyllet me një ceremoni të veçantë të zjarrit në ora 21:00, ku do të performojë Elton Deda dhe banda e tij muzikore./KultPlus.com