Aktorët e TKK-së pezullojnë grevën, marrin sinjale se çështja e tyre do të zgjidhet brenda tre javëve

28 Shkurt, 2025 - 9:09 pm

Sindikata e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar se pas një greve tre mujore, kanë vendosur që me shumicë votash të pezullojnë grevën dhe të rikthehen në skenë, pas zotimit të ministrit Hajrullah Çeku që do të plotësohen kërkesat e tyre.

“Pas një greve tre mujore dhe insistimit tonë të vazhdueshëm për një konfirmim zyrtar nga Ministria e Kulturës lidhur me afatin e zgjidhjes së çështjes së ekuivalentimit të pagave të aktorëve, na është komunikuar verbalisht nga një anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar se ministri Hajrullah Çeku është zotuar që kjo çështje do të zgjidhet brenda tre javësh”, thuhet në komunikatën e sindikatës.

Tutje, në njoftim thuhet se në momentin që Sindikata e Aktorëve merr një njoftim zyrtar nga ministria, do të ndërpritet greva.

“Në momentin që Sindikata e Aktorëve merr një konfirmim zyrtar nga MKRS-ja se ky zotim do të realizohet brenda afatit të deklaruar nga vetë Ministri Hajrullah Çeku, ne do ta ndërpresim përfundimisht grevën. Deri atëherë, me shumicë votash (9 pro, 5 kundër, 2 abstenim), sindikata vendos ta pezullojë grevën dhe t’i rikthehet skenës”, thuhet në komunikatë.

Poashtu, nga sindikata kanë njoftuar se nëse brenda afatit të përcaktuar njo çështje nuk zgjidhet, duke pasur mirëkuptim për pengesat eventuale, do të presin edhe për tre javë të tjera.

“Nëse edhe pas kësaj periudhe nuk kemi një konfirmim zyrtar nga MKRS-ja për aprovimin e kërkesës sonë për ekuivalentimin e pagave, ne rezervojmë të drejtën për të rifilluar grevën dhe veprimet e tjera sindikale, në përputhje me të drejtat tona ligjore”, kanë njoftuar nga sindikata.

“Njëkohësisht, njoftojmë publikun se po kthehemi në skenë dhe i mirëpresim me kënaqësi në shfaqjet tona”, thuhet tutje në njoftim./KultPlus.com

Të ngjajshme