21 Shtator, 2020 - 1:19 pm
Aktori Fatmir Spahiu, i ka uruar mirëseardhje në Prishtinë emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke e ftuar të pijë kafe me një grup aktorësh e producentësh.
Spahiu i ka uruar Grenellit të kalojë një ditë të këndshme në Kosovë.
“Zotëri Richard Grenell, sapo dëgjova nga mediet lokale se ju do të jeni sot këtu në Prishtinë. Jeni shumë i mirëseardhur për kafe ose birrë me një grup aktorësh, producentësh dhe filmbërësisht të Kosovës. Ju dëshirojmë një ditë të këndshme në Kosovën tonë të bukur”, ka shkruar Spahiu në Twitter.
Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell bashkë me 13 zyrtarë tjerë amerikanë do të vizitojnë sot Kosovën.
Vizita e tyre pas Kosovës do të vazhdojë në Serbi, Greqi e Izrael.
Kjo vizitë e emisarit Grenell dhe zyrtarëve tjerë amerikanë do të realizohet për të verifikuar se deri ku ka shkuar zbatimi i marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e raporteve ekonomike Kosovë-Serbi.
Më 4 shtator, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për normalizim ekonomik, e cila u konsiderua historike për faktin se hap rrugë të dy vendeve drejt një normalizimi të raporteve ekonomike si dhe hapet rruga për investime në gjithë rajonin përfshirë në autostrada, hekurudha dhe gaz./GazetaExpress/ KultPlus.com