28 Korrik, 2022 - 3:22 pm
Kyivi pretendon se Moska po braktis trupat e ushtarëve të rënë në luftë, për të shmangur pagesat shpërblyese për familjarët e tyre.
Administrata amerikane ka bërë një bilanc të luftës deri më tani dhe raporton se 75 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në betejë. Për më tepër, më shumë se 80% e forcave tokësore të Moskës kanë “ngecur” në terren dhe janë të lodhur, ndërsa ushtria e Kyivit po pret përforcime dhe po përgatitet të nisë një kundërofensivë në jug përpara dimrit.
Ndërkohë, ofensiva e Ukrainës për të rimarrë kontrollin mbi qytetin e pushtuar Kherson, është në një moment të mirë. Këtë e konfirmojnë disa burime nga ushtritë perëndimore për mediat ndërkombëtare.
Ura kryesore e qytetit Kherson është tani jashtë funksionit, pasi forcat e Kyivit e goditën atë me raketa me rreze të gjatë, armë të marra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyrtarë të mbrojtjes britanike thanë për BBC se Ukraina ka një plan të qartë për të rihyrë në Kherson, qytetin në perëndim të lumit Dnipro, i pari që ra në duart e ushtrisë ruse, pas nisjes së luftës. /A2CNN / KultPlus.com