4 Maj, 2021 - 11:43 am
Driton Kuka ka bërë thirrje që sa më shpejt Kosova të bëhet me Këshillin Kombëtar të Sportit.
Trajneri më i suksesshëm kosovar i cili ka fituar edhe medalje olimpike me xhudisten Majlinda Kelmendi, deklaron se krijimi i Këshillin Kombëtar të Sportit është tashmë domosdoshmëri pasi sporti në vendin tonë është në rrezik ngase organizatat sportive janë mbushur me prijës jo meritor, ndërsa, sipas Kukës, disa federata sportive po e manipulojnë shtetin me rezultatet nga arena ndërkombëtare që po i interpretojnë në opinion, shkruan Gazeta Express.
“Kosova ka ardhur koha të ketë Këshillin Kombëtar tē Sportit! Por jo ai të ndërtohet me vota, por me kritere! Sporti s’është politikë e as klub sportiv me bë tifo. Këshilli Kombëtar i Sportit domosdoshmëri! Me njerëz me kredibilitet të lartë personal, me bagazh të sportistit e jo turistit. Organizatat Sportive janë mbushur me njerëz që askush si njeh për kontribut në Sport dhe kjo është bë trend. A ka krizë në sportin e shtetit tonë, patjetër që po. A ka analizë të performansës së federatave? Shumë pak, ose aspak!”, ka theksuar Kuka.
“Disa garues shkojnë në Kampionate Evropiane e Botërore e raportohet se janë thyer rekordet e Kosovës! Pse ky fenomen, atje shkohet të garohet me shtete tjera e jo e kundërta! Mos tē lajthitet opinioni! Nëse shikohet numri i federatave e shohim një numër të madh të tyre, por sa prej tyre janë serioze në prezantim dinjitoz ndërkombëtar? Shumë numër i vogël! Sa Sporte kanë fituar medalje elitare prej përfundimit të luftës e këndej? Të analizohet pse?”, është shprehur ai.
Kuka thotë se krejt vëmendja është ta paraja, e jo te suksesi. “Kur flitet për buxhet, krejt gjejnë arsyetime e kërkojnë modele për me marr ndonjë euro ma shumë, por sa nga mjetet nëpër federata investohen seriozisht në sportistë e trajner? Paramendoni që Kategorizimi i Sporteve llogarit vetëm njē rezultat elitar, duhet ndryshuar mos të bëjmë hajgare me rezultate. Edhe Ligji i shtetit parasheh ngritjen e Këshillit Kombëtar të Sportit”, ka nënvizuar Kuka.
Trajneri pejan shpreson që nga sporti të largohen prijësit e disa organizatave sportive të cilët në mënyrë jo meritore dhe me dallavere i kanë zënë pozitat udhëheqëse të tyre, e ka nga ata që kanë probleme shumë serioze edhe me ligjin.
“Koha me ardhur njerëzit e duhur në sport!”, ka përfunduar Kuka. /KultPlus.com