14 Shtator, 2022 - 11:01 pm
“Huggy Wuggy” është ndër lodrat më të shitura në të gjithë botën për këtë vit. Por, shumica e prindërve duket se nuk e dinë domethënien që fshihet pas pamjes së kësaj lodre kukull. Një nënë nga Kosova, është shqetësuar kur ka lexuar më shumë rreth lodrës së shumëkërkuar.
Përmes një postimi në grupin “Shtatzënia dhe bebat”, Lira Krasniqi ka shprehur shqetësimin e saj rreth trendit të blerjes së “Huggy Wubby-t”.
Ajo shkroi se djali i saj e kishte kërkuar këtë lodër, dhe e njëjta ishte trembur pas shfletimit të artikujve për lodrën.
“Sa herë që djali im më kërkon diçka që nuk e di, unë e hulumtoj dhe nëse diçka nuk lejohet për moshën e tij dhe brenda asaj që ne besojmë se është e saktë, unë shpjegoj, ai kupton dhe ne e ndjekim. Kështu që e bëra, e hulumtova dhe më besoni se u TREMBA!!”, ka shkruar ajo.
Krasniqi shkroi se në thelb personazhi vjen nga një lojë “horrori”, nga ku arushi “Huggy Wuggy” përqafon lojtarët deri në vdekje.
Kjo lodër, këndon edhe këngën me fjalët ku përmenden kafshimet dhe gjaku, gjë që e ka shqetësuar atë.
“Në thelb është një personazh nga një lojë horrori ku gjithçka zhvillohet brenda një fabrike lodrash të braktisur dhe ky “pellushi” me emrin Huggy Wuggy e shtang lojtarin dhe përpiqet ta përqafojë deri në vdekje. Dhe në rrjedhën e kësaj loje kuptohet që kukullat vranë të gjithë punonjësit e fabrikës. Ai këndon një këngë në anglisht dhe ajo thotë gjëra të tilla si: “I kam dhëmbë të mprehtë që mundem të të kafshoj deri sa të del gjaku” “kurrë mos më quaj të shëmtuar, më mbaj këtu për të më parë kështu si dukem” “pa marrë parasysh se ku të shkosh unë do të të gjej” dhe ai i fton fëmijët”, thuhet në postimin e saj në facebook.
Ajo thotë gjithashtu se ka biseduar edhe me psikolog dhe psikiatër që kanë treguar për ndikimin negativ që kjo lodër sjell tek fëmijët.
Kjo pasi tanimë ka vizatime të shumta me imazhin që tremb fëmijët.
”Fatkeqësisht, tashmë ka vizatime me imazhin e tij që tremb fëmijët dhe normalizon dhunën. Për ata që nuk e dinin si unë, ja paralajmërimi dhe nëse doni të kërkoni më shumë rreth emrit, është aty: Huggy Wuggy”, ka përfunduar ajo. / KultPlus.com