12 Shkurt, 2022 - 8:20 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë fushatën e saj të vaksnimit, pasi pandemia ende nuk ka marrë fund, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kurti ka thënë se Kosova ka administruar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID.
“Sot kemi shënuar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID të administruara në Republikën e Kosovës, ndërsa gati 900,000 qytetarë janë vaksinuar me të paktën një dozë. Këto arritje kanë ardhur si rezultat i vullnetit të qytetarëve të Republikës për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët rreth tyre, si dhe i punës së palodhshme të punonjësve shëndetësorë, për të cilën jemi të gjithë falënderues”, ka thënë ai mes tjerash.
Tutje, i pari i ekzekutivit ka përmendur edhe donacionin e vaksinave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mirëpo, përderisa pandemia ende nuk ka marrë fund, edhe fushata jonë e vaksinimit duhet ende të vazhdojë. Për këtë arsye, kemi pranuar dje një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 515,970 dozave shtesë; në total arrihen mbi 1 milion vaksina të dhëna nga ShBA. Ky donacion do ta ndihmojë Kosovën që të zgjerojë sa më shumë imunitetin mes popullatës sonë. U jemi përjetësisht mirënjohës ShBA-së dhe aleatëve të tjerë që kanë kontribuar në betejën tonë kundër COVID-19.”.
Kurti në fund të postimit i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt, pasi, sipas tij, mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para.
“Me kujdes të shtuar, bashkë do t’ia dalim”, ishte mesazhi i Kurtit.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, deri më sot 810,436 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. /KultPlus.com