13 Janar, 2020 - 6:28 pm
Albin Kurti, politikan i njohur dhe aktivist i dëshmuar, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, do të jetë mysafir i KultPlus Caffe Gallery, të premten me datë 17 janar 2020, prej orës 19:00.
Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë. Kurti ishte edhe anëtar i Këshillit Organizativ të Protestave Paqësore dhe të pa dhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga regjimi i Milosheviçit. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.
Në KultPlus Caffe Gallery, me Albin Kurtin do të flasim mbi kulturën dhe trajtimin që spektri politik në Kosovë në këto dy dekada të pasluftës i ka bërë kësaj fushe të zhvillimit të vendit. Diskutimi do të fokusohet edhe në artin dhe kulturën në programet e partive politike në Kosovë, si dhe në seriozitetin që këto subjekte politike e tregojnë me komunitetin artistik në Kosovë.
Në këtë bashkëbisedim me redaktorin e KultPlus – Arbër Selmanin, do të jenë edhe Saranda Bogujevci dhe Yll Rugova.
KultPlus Caffe Gallery ju fton në këtë ngjarje, e hapur për komunitetin artistik në Kosovë, një tjetër tentim i gazetës online për art dhe kulturë KultPlus për të inicuar debate konstruktive dhe të artikuluara mbi skenën e artit dhe kulturës në vend.