2 Mars, 2021 - 1:44 pm
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat nga Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti nga Lezha me rastin e 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, deklaroi se liderët politikë duhet të veprojnë e të mendojnë sikurse do të vepronte e mendonte heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu dhe dëshmorët e luftës së fundit të Kosovës.
“Sot më 2 mars teksa shënojmë përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës të besëlidhjes që është akt politik, publik i besatimit, i lidhjes së dëshirës së përbashkët, ne duhet të mendojmë e të veprojmë, duke menduar se si do të mendonin e do të vepronin nga Skënderbeu te Rilindasit tanë e deri te luftëtarët e dëshmorët ne veçanti të luftës së fundit në Kosovë”, tha Kurti.
Ai po ashtu deklaroi se tani shqiptarët duhet të përfaqësohen nga njerëzit më të mirë në mënyrë që të vijë përparimi i gjithmbarshëm.
“Duhet të ndjekim pishtarin që është bartur gjatë historisë nga brezi në brez në mënyrë që populli shqiptar të përfaqësohet me njerëzit më të mirë dhe në këtë mënyrë krizën e shumëfishtë qe e ka pllakosur ta bëjë me zhvillim e përparim të gjithanshëm. Sot këtu te flamuri kombëtar te Besëlidhja e Lezhës zotohemi për angazhim të përhershëm”, nënvizoi Kurti. / indeksonline / KultPlus.com