Albin Kurti pas vizitës së ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Kosovë: E falënderova përzemërsisht për mbështetjen e palëkundur asokohe

10 Qershor, 2024 - 2:31 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas fjalimit të ish-kryeministrit britanik Tony Blair, para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Shkrimin e tij në rrjete sociale, Kurti e ka filluar me thirrjen e kryeministrit britanik më 23 mars të vitit 1999, që jehoi në Parlamentin e Britanisë së Madhe.

“Ne duhet të veprojmë: të shpëtojmë mijëra burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm nga katastrofa humanitare, nga vdekja, barbarizmi dhe spastrimi etnik nga një diktaturë brutale; për të shpëtuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit, ku e dimë se kaosi mund të përfshijë të gjithë Evropën”, ishte thirrja e Blair.

“Të nesërmen e 24 marsit 1999, NATO do të fillonte fushatën që ndali pikërisht spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, fushatë kjo që do të përfundonte më 10 qershor të po atij viti. 25 vjet më pas, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, e patëm mysafir në Republikën e Kosovës. Roli dhe kontributi i tij në çlirimin e vendit tonë dhe sigurimin e paqes, bashkë dhe me partnerët e aleatët tanë, mbetet sa i rëndësishëm aq edhe jetik në pavarësinë dhe etapat shtetndërtuese të vendit tonë. Çlirimi dhe liria në Kosovë, solli fundin e luftërave në Ballkan të viteve të ’90-ta, dhe fillimin e një rrugëtimi të demokracisë, progresit dhe zhvillimit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka treguar se e ka falënderuar përzemërsisht mikun e vendit tonë Tony Blair, për mbështetjen e palëkundur asokohe dhe lidhjen e përjetshme të krijuar mes popullit tonë dhe popullit britanik./KultPlus.com

Të ngjajshme