11 Qershor, 2022 - 3:17 pm
Kadare, Kohë për rrëfim-dialog me Alda Bardhylin është vlerësuar me çmimin e veprës “Kapitale të vitit” në Panairin e Librit që po mbahet në Prishtinë.
Vepra e botuar nga Onufri është vlerësuar nga juria për vëzhgimin e mprehtë dhe estik në laboratorin krijues dhe veprën e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të kohës, Ismail Kadare.
“Në këtë libër, Kadareja flet shumë haptazi me Alda Bardhylin për marrëdhënien e tij komplekse dhe të rrezikshme me klanin Hoxha dhe sidomos me diktatorin Enver. Ai diskuton edhe mbi përpjekjet për t’u arratisur, mbi periudhën si deputet dhe shpresat e tij pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1990. Kjo është seria më e shtjelluar e bisedave të mbajtura me Ismail Kadarenë, një bisedë mes një shkrimtari të rëndësishëm shqiptar dhe një studiueseje shqiptare mbi dashurinë, letërsinë dhe historinë e shekullit XX, që do të bëjë jehonë përtej kufijve të Shqipërisë”, shprehet për këtë libër shkrimtari i njohur anglez Jason Goodwin.
Libri është paraqitur në Panairin e Prishtinës me një kopertinë të re, dhe i ripunuar nga Onufri.
Nën moton “Libri mbron mëndjen”, Panairi do të qëndrojë I hapur deri më 12 qershor. /KultPlus.com