Aleksander dhe Franz Wurz prezantuan Qendrën Automobilistike për Kosovë, pritet drita jeshile nga Qeveria e Kosovës

24 Prill, 2024 - 2:55 pm

Aleksander Wurz dhe Franz Wurz para një numri të madh të pranishmëve kanë bërë prezantimin e “Qendrës Automobilistike Rajonale për Trajnimin, Sigurinë dhe Edukimin e Shoferëve”, qendër kjo që ka për qëllim trajnimin e shoferëve për orë shtesë, orë që shërbejnë në aftësimin e evitimit të aksidenteve në rrugë, e që në Kosovë janë në një numër të lartë, sidomos ato me fatalitet, shkruan KultPlus.

Kjo qendër e projektuar nga familja Wurz e që qendra të tilla nëpër Evropë i ka realizuar në 50-të sosh, nëse arrihet të realizohet edhe në Kosovë, atëherë numri i këtyre qendrave arrin në 51.

Projekti i iniciuar nga Nexhat Krasniqi, para të pranishmëve është vlerësuar me një rëndësi të madhe, pasi që nëse ngritet një qendër e tillë në Kosovë, do të jetë më inovativja nga qendrat paraprake dhe më e madhja në rajon.

Prezantimi që është mbështetë edhe nga Ambasada e Austrisë në Kosovë, është përshëndetë nga vet ambasadori George Schnetzer, i cili këtë investim e ka parë si një investim shumë premtues për shoqërinë kosovare.

Një investim i tillë është mirëpritë edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Infrastrukturës.

Kurse në detaje është prezantuar nga Franz Wurz, i cili ka shpjeguar se kjo qendër ofron shumë shërbime, duke nisë prej fëmijëve në grupmosha të ndara, për motoçiklistë, ngasës të makinave, autobusëve, kamionëve e deri te qendrat rekreative, për të gjithë ata që duan të provojnë adrenalinën e ngasjes së shpejtë.

Ky prezantim nëpërmjet një videoje është përshëndetë edhe nga eurodeputeti austriak Lukas Mandl, i cili poashtu e ka vlerësuar ndërtimin e kësaj qendre.

Dhe krejt për fund, ky prezantim që u udhëhoq nga Safet Gërxhaliu u përmbyll me thirrjen për institucionet e vendit që sa më shpejt ti jepet drita jeshile këtij projekti, me qëllim që Kosova të renditet me shtetet e tjera të zhvilluara sa i përket ngasjes në trafik, e që për qëllim primar ka uljen e aksidenteve të shumta, e që Kosova e ka numrin shumë të lartë./ KultPlus.com

Të ngjajshme