21 Korrik, 2024 - 4:30 pm
Ali Podrimja
E nata ka mbuluar gjurmët dhe klithjet
Je shtrirë buzë lumit i sëmurë
lumit i ke folur në veshin guaskë
ai të ka bartur
dikah të ka bartur
kah vedi
e ti i ke folur me zemër
e dhimbje e të rëna ke ndjerë
në shpirt
në trup
e ti i ke folur lumit të thellë
ai ka ikur kah brigjet e humbura
prej sëmundjes sate ka ikur
e ti je shtrirë buzë lumit të gufuar
lumi ka përgjuar jetën tënde tërë kohën
të ka pushtuar si magjia të ka mashtruar pastaj
lumi të ka vënë në gjumë pas nëntëdhjetenëntë
vjet pagjumësie
dhe ka ikur kah brigjet e humbura
ti ashtu me shpirt në hava i shtrirë
ke soditur sytë e zgurdulluar të heshtjes
e nata i ka mbuluar gjurmët dhe klithjet./KultPlus.com