16 Maj, 2022 - 4:00 pm
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj theksoi sot se “në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ka pasur edhe periudha jo të shëndetshme. Ka pasur edhe ngërçe. Shkak për këto ngërçe kanë qenë kryesisht paaftësia jonë për të kuptuar, ndonjëherë edhe refuzimi për të pranuar, e pastaj për të vënë në jetë në politikën shqiptare, vlerat mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës, demokracia dhe fuqia e votës në vendin mik, në SHBA”.
Në fjalën e e tij në takimin e organizuar për 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Alibeaj tha se “mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me SHBA”.
“Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100-vjeçare”, nënvizoi Alibeaj.
Alibeaj u shpreh se “shqiptarët janë të vetëdijshëm, e po ashtu falënderues, se nga partneriteti me ShBA, të fituarit e mëdhenj janë shqiptarët. Ne e dimë që SHBA e kanë vlerësuar gjithmonë miqësinë shqiptare, dhe shqiptaret jo rastësisht renditen sot si një ndër popujt më proamerikanë. E kjo marrëdhënie e shkëlqyer ka dhënë dhe frutet e veta. Në 100 vite, SHBA u dhanë shqiptarëve 2 shtete të pavarura. Asnjë lëvizje çlirimtare kombëtare shqiptare nuk ka bërë dot sa SHBA për Shqipërinë. SHBA kanë folur, ndihmuar, dhuruar dhe garantuar lirinë shqiptarëve, ngado ku janë, më shumë se të gjitha lëvizjet kombëtare të marra së bashku. Ndër të fundit është mbështetja për anëtarësimin në NATO. E ne shqiptarët i jemi mirënjohës SHBA për këtë mbështetje”.
“Partia Demokratike është sot më e kthjellët se kurrë, se ajo Amerikë që vulosi suksesin e lëvizjes demokratizuese të vendit në fillim të viteve 1990, vetëm besimi te vlerat e demokracisë që ajo përfaqëson, do të mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kurthi i politikës së korruptuar dhe të dështuar të tranzicionit”, tha Alibeaj.
Ai u shpreh se “ne duhet, ne mundemi dhe do e nxjerrim Shqipërinë nga tranzicioni politik, korruptiv, kaotik, i tejzgjatur, që po vret përditë shpresat e shqiptarëve, që po largon të rinjtë e intelektualët, që po plak dhe po mpak popullsinë në Shqipëri. Ne do të dalim nga ky tranzicion. Dhe kjo jo vetëm si shpresë. Kjo do të ndodhë. Siç historia ka treguar, kjo do të ndodhë edhe falë mbështetjes së SHBA”. /atsh / KultPlus.com