8 Korrik, 2022 - 9:30 pm
Sot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, pritën në takim delegacionin e përbërë nga përfaqësuesit e Organizatës Europa Nostra, të shoqëruar nga përfaqësues të Institutit të Bankës Evropiane të Investimeve.
Në këtë takim, u diskutuan aspektet e përfshirjes së Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë gjatë vitit 2021. Ministrat, ritheksuan qëndrimin e institucioneve të Kosovës, dhe mos-pajtimin për këtë përfshirje, pa konsultim të mirëfillte me palët.
Ministrat deklaruan se mungesa e vlerësimit të rrezikut që i kanoset Kalasë së Novobërdës, dhe insistimi për “rrezikun” ndaj Manastirit të Deçanit, është edhe një dëshmi për qasjen jo-profesionale, politikisht të ndikuar të organizatës Europa Nostra, dhe theksuan edhe njëherë që Europa Nostra i detyrohet një kërkim falje dhe kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj reputacionit të Institucioneve të Kosovës.
Përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë, nuk ka qenë e drejtë, ngase nuk është bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton pasqyrën reale.
Manastiri i Deçanit si aset i trashëgimisë kulturore është objekt në gjendje të mirë fizike, funksional, ku zhvillohen ceremonitë e rregullta fetare.
Gjendja e sigurisë në objektet e trashëgimisë kulturore, në veçanti të atyre fetare është përmirësuar, dhe ky fakt argumentohet me raportet e organeve të sigurisë, së Policisë së Kosovës, dhe Misionit të KFORIT në Kosovë. Nga vitet 2014 – 2021, në policinë e Kosovës janë raportuar 537 raste në ndërtesa fetare (shumica raste të vjedhjes), prej tyre 61 % në ndërtesa fetare Muslimane, 31% në ndërtesa Katolike dhe 6% në ndërtesa Ortodokse. Shumica e tyre janë raste të vjedhjeve, përderisa asnjë rast nuk është klasifikuar si rast me motive fetare.
Në bazë të statistikave të fundit nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, gjatë periudhës Janar – Qershor 2022 janë paraqitur 5.88% më pak raste në krahasim me periudhën e njëjtë gjatë vitit 2021. Gjendja e sigurisë në monumentet e trashëgimisë fetare është e kënaqshme, pa raste (incidente) serioze, ku qarkullimi i besimtarëve gjatë ceremonive fetare është në rritje, pa probleme, gjithashtu me rritje të vizitorëve nga vendet e ndryshme të botës.
Manastiri i Deçanit gjendet në Kuadër të Parkut Nacional Bjeshkët e Nemura. Institucionet e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar bazat e mbrojtjes së mjedisit dhe të vlerave të trashëgimisë kulturore, me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillim të qëndrueshëm përmes turizmit malor e kulturor. Në këtë drejtim, institucionet tona janë duke punuar për të zhvilluar zgjidhje që janë në funksion të mbrojtjes së integritetit të vlerave natyrore dhe kulturore të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemura.
Republika e Kosovës përmes Kushtetutës së saj garanton mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, dhe në veçanti siguron të gjitha mekanizmat ligjore, institucionale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në këtë aspekt, manastiri i Deçanit gëzon mbrojtje të plotë ligjore edhe në përputhje me Konventat Ndërkombëtare, që i siguron ruajtjen e integritetit të vlerave të trashëgimisë, e cila është e vlerësuar si pjesë e Trashëgimisë Botërore.
Gjatë vitit të kaluar, MKRS ka mbështetur nominimin e Kalasë së Novobërdës në programin e Europa Nostra-s të 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë. Përkundër gjendjes kritike dhe rrezikut që i kanoset integritetit të Kalasë së Novobërdës si rezultat i punës jo-profesionale, Kalaja nuk është përfshirë në programin e lokaliteteve në rrezik. /KultPlus.com