27 Nëntor, 2019 - 3:44 pm
Ndihma të shumta kanë ardhur nga shtetet fqinje për qytetarët e prekur nga tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë. Forca të shumta kërkim-shpëtimi kanë mbërritur në vend dhe disa shtete kanë dhuruar me mijëra euro për ata që kanë më shumë nevojë pas tërmetit shkatërrues.
Edhe në mediat ndërkombëtare ky ka qenë lajm kryesor, për t’ju treguar të gjithëve se çfarë ka ndodhur me shqiptarët. Siç duket edhe programe televizive do t’i dedikohen kësaj ngjarje, që i ka prekur të gjithë.
Ditën e sotme Alketa Vejsiu ka zbuluar se ka udhëtuat drejt Italisë, pasi është e ftuar në emisionin “La vita in diretta”. Moderatorja shqiptare ka treguar se në të do të flitet për solidaritetin e madh të shteteve fqinje. “Sapo arrita në Romë. Sot do të jem e ftuar në “Rai Uno” në ora 16:45 në “La vita in diretta” live, për solidaritetin e jashtëzakonshëm të Italisë, Kosovës, Greqisë dhe jo vetëm! Shqipëri, nuk je vetëm!”, ka shkruar Alketa në një postim në Instastory. /KultPlus.com