8 Nëntor, 2020 - 10:30 am
Alma Telushi jeton në Filadelfia të SHBA-së prej 26 vitesh dhe sot është një ndër biznesmenet më të suksesshme atje në fushën e Real Estate.
Ajo ka rrëfyer se ka shkuar në SHBA ndryshe nga të tjerët, pasi ka pasur gjyshin atje në Amerikë që kishte ikur në vitet ’30.
“Historia e familjes sonë është krejt ndryshe. Kemi pasur gjyshin këtu në Amerikë, kanë ikur në vitet ’30, ka jetuar 18 vjet që kur kemi ardhur kemi qenë ndër shqiptarët e parë të ardhur këtu kur u hap ambasada. Njerëzit e mi kishin ruajtur pasaportën amerikane dhe erdhën na morën direkt. Dy tezet, daja e mami morën pasaportat amerikane dhe erdhëm direkt në Amerikë”, ka rrëfyer Alma në “Boeing 104.6” në Premium Channel dhe Radio Travel.
Me krenari ajo thotë se është integruar në jetën amerikane, po prapë gjaku mbetet shqiptar.
Alma është larguar për në SHBA sapo mbaroi studimet e larta për matematikë në Shqipëri, kur ishte 22 vjeç. Thotë se ka ardhur në Shqipëri për herë të fundit para shtatë vitesh dhe Vlorën, qytetin e saj nuk e kishte njohur.
Por fillimet kanë qenë të vështira edhe për të në SHBA. Alma tregon se puna e parë që ka bërë është rrobaqepëse, është marrë më pas me rritjen e fëmijëve, dhe ndërkohë merrej me menaxhim restoranti e disa punë të tjera.
“Gradualisht u integrova më tepër dhe mora licencën për real estate dhe e bukura e real estate është se jo shumë femra janë të integruara, unë jam ndër të paktat këtu”, vijon ajo.
A ka klientë shqiptarë? “Ne jemi popull që punojmë e duam të kemi shtëpinë tonë, nuk rrimë dot me qira. Terminologjia dhe në real estate është diçka që shumë nuk e kuptojnë dhe unë jam detyruar tua them ndonjëherë gjysmë shqip e gjysmë anglisht se pale se si më përkthen në shqip. Kjo është arsyeja që shqiptarët preferojnë të punojnë me ne si shqiptarë, është pengesa që kanë në kuptimin e terminologjisë”, thotë Alma.
Sa i organizuar është Komuniteti shqiptar në Filadelfia
Alma thotë se janë disa organizma të rëndësishme të cilat mblidhen herë pas here dhe që festojnë edhe festat e nëntorit. Madje shqiptarë atje kanë hapur dhe kafene dhe Alma me humorin që e karakterizon thotë se dëshiron të hapin diçka më familjare pasi vazhdon ende zakoni i burrave në kafe.
“Keni dëgjuar për shoqatën Bijtë e Shqipes? Ata janë shumë të integruar për ta bashkuar komunitetin shqiptar, organizimin e tyre dhe sigurisht organizohen jashtë mase, janë hapur shumë kafene shqiptare ku mblidhen me njëri-tjetrin. Një mik që kisha unë hapi kafene dhe i thashë po mirë për ne gratë mendoni? Kishte vetëm meshkuj. Thashë të bëhej diçka më familjare
Krahas Bijtë e Shqipes është dhe Balkan Travel që merret dhe me organizimin e festave, si festa e Flamurit”, vijon Alma. / KultPlus.com