9 Dhjetor, 2022 - 9:50 am
Zonat e mbrojtura në të gjithë vendin janë kthyer në një mundësi e shkëlqyer turizmi për të gjithë të pasionuarit pas natyrës edhe në këto ditë dimri.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau foto në rrjetet sociale nga vizita e një grupi të rinjsh në shtegun Alarup-Maja e Pllajës së Pusit, pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Tokësor-Ujor Liqeni i Pogradecit.
Tashmë në këtë shteg bora ka dhuruar një peizazh të mrekullueshëm si edhe sfida të reja.
Peizazh i Mbrojtur Liqeni i Pogradecit ndodhet nga 695-2,288 m mbi nivelin e detit.
Përfshin trevën përreth liqenit të Ohrit, brenda kufirit shtetëror me Maqedoninë e Veriut. Dallohet për larminë e theksuar të peizazheve, ekosistemeve dhe kontrasteve natyrore.
Në përbërje të tij hyjnë Liqeni i Ohrit (sit i trashëgimisë natyrore botërore), gropa e Pogradecit, pragu i Çërravës, Mali i Thatë dhe pjesa lindore e Malësisë së Mokrës./ atsh / KultPlus.com