15 Qershor, 2020 - 1:13 pm
Moikom Zeqo, shkrimtar, studiues, ish-deputet në Parlamentin shqiptar në vitet ’90, autor i skenareve për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor, i studimeve arkeologjike dhe të historisë së artit, është ndarë sot nga jeta.
Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur vuante nga leuçemia akute. Mësohet se amaneti i Moikom Zeqos ishte që të varrosej në Tiranë. Po ashtu, shkrimtari i mirënjohur ka kërkuar që homazhet për lamtumirën e fundit për të të mbahen në Muzeun Historik, ku ai ka qenë drejtues nga 1997 deri në vitin 2005. Ashtu siç ishte dëshira e tij, homazhet për Zeqon do të bëhen pikërisht te Muzeun Historik.
Zeqo është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.
Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, gjermanisht. /27.al/ KultPlus.com