12 Janar, 2021 - 11:15 am
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e ka uruar Distria Krasniqin për fitimin e medaljes së artë në Mastersin e xhudos në Doha të Katarit të hënën.
Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në Mastersin e Dohas, pasi e mposhti Funa Tonakin në finale të hënën, duke e nisur vitin 2021 në mënyrë mbresëlënëse dhe duke mbetur në binar për ta siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Tokio 2020, transmeton KultPlus.
Një ditë më pas, Ambasada amerikane në Prishtinë e zgjodhi rrjetin social Twitter për ta uruar kosovaren për triumfin e saj madhështor.
“Urime Distria Krasniqit të Kosovës, e cila e fitoi me meritë medaljen e artë në Mastersin e xhudos në Doha, Katar”, ka shkruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
https://twitter.com/USEmbPristina/status/1348917639179997185Xhudistja kosovare dhe numri një i botës Krasniqi e fitoi medaljes së artë në kategorinë deri në 48 kilogramë në Mastersin e Dohas.
Krasniqi bëri paraqitje mahnitëse kundër ish-kampiones së botës dhe njërës prej favoriteve për medaljen e artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat do të mbahen këtë verë.
Kosovarja i shënoi dy pikë wazzari, të cilat i mjaftuan për ta fituar luftën me japonezen dhe rrjedhimisht edhe medaljen e artë.
Numri një i botës në kategorinë deri në 48 kilogramë e pati një ditë të mrekullueshme në Katar, duke i fituar pa telashe të gjitha katër luftërat.
Pasi e kaloi rrethin e parë pa luftë, Krasniqi e mundi sllovenen Marusa Stanger me ippon në rrethin e dytë, ndërsa në çerekfinale fitoi ndaj portugezes Catarina Costa.
Në gjysmëfinale, ajo fitoi ndaj francezen Melanie Clement.
Krasniqi i fitoi edhe 1800 pikë olimpike me triumfin e saj në Doha, të cilat janë të nevojshme për ta siguruar pjesëmarrjen ne Lojërat Olimpike Tokio 2020. / KultPlus.com