12 Qershor, 2022 - 6:25 pm
Ishte marsi i vitit 1999, periudhë kjo e cila për popullin e Kosovës ishte tejet e rëndë.
Kolona të gjata njerëzish, të rinj me çanta në duar, fëmijë që qanin, të moshuar që mezi ecnin, ia kishin mësyrë një rruge që nuk e kishin idenë se ku do t’i çonte.
Të frikësuar në çdo hap që bënin nuk e dini as nga po shkonin, vetëm dëshironin të iknin sa më larg paramilitarëve serbë të cilët gjatë viteve 1998-99, vrisnin civil e të pafajshëm, dhe digjnin çdo gjë që kishin përpara.
Fotografi boshnjak Damir Sagolj, i cili punon për Reuters, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kishte shkrepur fotografi të cilat pasqyronin gjendjen reale të luftës dhe terrorin që po përjetonin popullata.
Në fotografinë e bërë nga Sagolj, shihet një kolonë e gjatë banorësh të Kaçanikut por që në fokus ka një grua me një shami të bardhë në kokë, ndërsa mbante në gjirin e saj një foshnje. Në fytyrën e saj shihet frika dhe zemërimi.
Kjo grua quhet Sherife Luta e cila i kishte mbijetuar shumë mirë asaj kohe, ndërsa foshnja që mbante në duar, thënë më mirë vajza e saj, tani është rritur dhe ndonëse atë kohë nuk kishte ditur asgjë se çfarë ishte duke ndodhur.
Me rastin e shënimit të 23-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se ka takuar Sherife Lutën.
“Ishte kënaqësi që takova sot Sherife Lutën dhe familjen e saj në festën e Ditës së Paqes. 23 vjet më parë, Sherifja u bë fytyra e një lufte brutale pasi ajo dhe fëmija i saj u larguan nga Kosova. Sot ata janë të sigurt dhe të shëndetshëm”, ka shkruar Hovenier derisa në krah të djathtë të tij është Sherife Luta.
It was a pleasure to meet Sherife Luta and her family at the Peace Day celebration earlier today. 23 years ago, Sherife became the face of a brutal war as she and her child fled Kosovo. Today, they are safe and healthy. Sherife is on my right in the green suit. @TIME pic.twitter.com/K7bvdSiwdX
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) June 12, 2022