Ambasadori i Gjermanisë Rohde: Kosova nuk rrezikohet, e ruan KFOR-i

7 Mars, 2022 - 10:00 pm

Joern Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë ka folur për situatën e sigurisë ne vendin tonë.

Rohde iu bashkua një proteste në Prishtinë, të hënën, për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën. Edhe Beogradi protestoi, të premten mbrëma. Këtu, nuk u sha e kritikua, por u mbrojt e u lëvdua Rusia. Presidenti i saj, Vladimir Putin, të cilit iu bë një mural këtu, u quajt vëlla.

Ngjarja në Serbi, që dikush në Berlin e cilësoi të neveritshme, turpëruese dhe pështymje në vlerat evropiane, nuk e shqetësoi kështu shumë edhe ambasadorin në Prishtinë.

“Janë 7 milionë serbë dhe 2 mijë prej tyre në rrugë, kështu që, sipas meje, disa njerëz që bëjnë thirrje të papërgjegjshme dhe shpërndajnë urrejtje nuk do të thotë që po e shfaqin qëndrimin e gjithë popullit serb”, tha Rohde për Klan Kosova.

“Unë besoj në arsyeshmëri, një parandalim të arsyeshëm dhe, siç e dini, të gjithë duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe mendoj se i tërë rajoni i përket BE-së, kjo është ajo që edhe qeveria ime e re e ka shprehur. Ky është prioriteti ynë dhe për këtë arsye do të ketë edhe vizita zyrtare së shpejti në Kosovë”.

Rohde komentoi edhe situatën e sigurisë në Kosovë, pas luftës që nisi Rusia.

“Sikur e dini shumë mirë, ne jemi partnerë të fuqishëm të Kosovës, KFOR-i është këtu duke e monitoruar situatën dhe unë ju garantoj se tani për tani nuk ka ndonjë shenjë rreziku”. / KultPlus.com

Të ngjajshme