Ambasadori i Kosovës i dhuron romanin e saj në shqip autores kuvajtiane

2 Qershor, 2023 - 11:15 am

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetin e Kuvajtit Lulzim Mjeku takoi shkrimtaren Laila al-Othman për të shprehur kujdesin dhe nderimin për miken e Kosovës.

Ambasadori Mjeku në këtë takim u shoqërua nga ambasadori i Shqipërisë, Saimir Bala dhe diplomati Ilir Hysi.

Laila al-Othman e ka vizituar Kosovën dy herë në vitet ’80 me ftesë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ka shkruar reportazhe nga Prishtina, ndërsa Kosova ka vazhduar të botojë veprën e saj letrare.

Në këtë takim ambasadori Mjeku i dhuroi romansieres kuvajtiane Laila al-Othman romanin e saj “Vesmia del nga Deti”, i shpallur ndër 100 romanet më të mira të letërsisë arabe, botuar në gjuhën shqipe në Prishtinë nga SHB “Dija”, shqipëruar nga Shemsi Ajvazi.

Mikja e Kosovës Laila al-Othman në vitin 1982 ka botuar në ‘al Arabi” një reportazh nga Kosova, i cili pati bërë jehonë të madhe.

Në takimin me Laila al-Othmanin, ambasadori Mjeku i dhuroi asaj librin “Hotel Bejruti”, të autorit Nehat Islami, me të cilin e lidhë kolegialiteti nga Kosova, Lindja e Mesme dhe skena ndërkombëtare. Ambasadori Mjeku i përcolli përshëndetjet miqësore të Islami dhe kujtoi se në vitin 1985 ndërmarrja botuese “Rilindja” pat botuar një përzgjedhje të tregimeve të saj në librin: “Brenda është një botë tjetër”, me parathënie të Muhamed Mufakut./ KultPlus.com

Të ngjajshme