Ambasadori italian Bucci merr titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës

10 Janar, 2025 - 4:00 pm

Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizio Bucci u vlerësua nga bashkia e Gjirokastrës me titullin “Qytetar Nderi”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ambientet e muzeut “Kadare” në Gjirokastër ishin të pranishëm ambasadori Fabrizio Bucci, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, drejtues të lartë vendorë, qytetarë, etj.

Ambasadori Bucci u vlerësua me titullin “Qytetar nderi” me motivacionin “Për kontributin e dhënë në forcimin e lidhjeve historike dhe të bashkëpunimit aktual mes Italisë dhe Gjirokastrës. Mirënjohje për vëmendjen dhe iniciativat e tij me ndikim në ngritjen në një nivel edhe më të lartë të marrëdhënieve, falë realizimit me sukses të programeve dhe projekteve në fushat e kulturës, turizmit, ekonomisë dhe edukimit”.

“Jam ndier si në shtëpinë time në Gjirokastër, pas 5 vitesh mbarova mandatin tim dhe Shqipërinë do ta kem në zemrën time. Ka qenë një periudhë që ne kemi bërë shumë për marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipëri. Jemi vendi i parë furnizues dhe klient i Shqipërisë nga ana ekonomike. Gjysma e ndërmarrjeve ekonomike private të huaja në Shqipëri janë italiane. Italianët janë grupi më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri. Marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Italisë janë forcuar akoma edhe më shumë’, tha Bucci.

I pyetur për situatën politike në Shqipëri, ambasadori Bucci u shpreh se “pas pak muajsh do të jenë zgjedhjet dhe shpresoj të jetë një fushatë e bazuar në programe, sepse qytetarët duhet që të kuptojnë se kush është programi i partive politike dhe të kuptojnë se çfarë do të bëjë politika për ta”.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Golemi vlerësoi kontributin e ambasadorit Bucci në këto katër vite të qëndrimit të tij në Shqipëri dhe sidomos kontributin që ka dhënë për Gjirokastrën./ KultPlus.com

Të ngjajshme