Ambasadori Minxhozi: 28 Nëntori festohet bukur, kudo ku ka shqiptarë

29 Nëntor, 2021 - 3:30 pm

Me rastin e 109-të vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi pritjen solemne me këtë rast, ku morën pjesë personalitetet më të larta të vendit, përfaqësues të partive politike, Trupi Diplomatik i akredituar në Kosovë, personalitete të shquara të botës së artit dhe më gjerë, shkruan KultPlus.

Ambasadori Minxhozi, në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh se kjo ditë e shënuar për kombin shqiptar, festohet bukur kudo ku ka shqiptarë.

Një fjalë përshëndetëse për të nderuar Ditën e Pavarësisë, e mbajtën dhe Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti.

Tenorët e shquar, Kastriot Tusha dhe Josif Gjipali, me performancat e tyre, i dhanë një tjetër dimension mbrëmjes, duke u duartrokitur gjatë nga të ftuarit.

Gjatë pritjes, në ambientet e sallës, u prezantua ekspozita “Gratë shqiptare” e piktores Saranda Xhemajli, ekspozitë që ngjalli shumë interes për të ftuarit.

Në përfundim të mbrëmjes, artistja Fiona Rushiti ndezi qiellin e Prishtinës, duke sfiduar shiun dhe lartësinë, mbi shqiponjën në flakë./ KultPlus.com

Të ngjajshme