Ambasadori William Walker nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Pejës

14 Janar, 2023 - 4:50 pm

Miku i pashoq i shqiptarëve, William Walker, është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Pejës”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, njofton se ambasadori amerikan, Walker, është nderuar me këtë titull, për humanizmin dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit.

Postimi i plotë nga MASHT:

“Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” ambasadorin amerikan, William Walker. Titulli i atribuohet motivacionit “Për humanizëm dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit”.

Në ceremoninë e nderimit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se, shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë atë çfarë ka bërë ambasadori Walker për Kosovën dhe historia e popullit tonë, tashmë e ka rezervuar një vend të veçantë të Kosovës për emrin e tij dhe për rolin e kontributin e punës së tij.

Kryeministri shtoi se deklaratat e ambasadorit Walker ishin denoncime zyrtare të tij në emër të Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se, ambasadori Walker e meriton titullin “Doctor Honoris Causa” jo vetëm pse me nderë e ndërgjegje të lartë i ka shërbyer kauzës sonë për liri dhe drejtësi, por sepse si sot 24 vite më parë, përmes fjalëve të tij, bota e kuptoi që Serbia po kryente krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Ajo shtoi se, zëri i ambasadorit Walker i cili e tha të vërtetën, ishte kaq i rëndësishëm dhe ktheu vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për Kosovën.

Ambasadori Walker në janar të vitit 1999 denoncoi publikisht pamjet që kishte parë në Reçak pas masakrës së kryer nga forcat serbe. Deklaratat e tij për këtë masakër bënë bujë të madhe mediatike e politike”, thuhet në postimin e tyre.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 70 mijë eurove për librin “Reçaku”, të shkruar pikërisht nga William Walker. /KultPlus.com

Të ngjajshme